Feja islame e ka bazën dhe burimin e saj në Kuranin dhe në Sunetin e Profetit ﷺ.
Prandaj, kuptimi i drejtë i Kuranit, ashtu siç dëshiron Allahu prej nesh, është një nga çështjet më të rëndësishme për çdo musliman.
Shkenca e tefsirit është shkenca që merret me shpjegimin dhe sqarimin e kuptimeve të Kuranit.
Qëllimi i saj është të ndihmojë në kuptimin e drejtë të fjalës së Allahut, duke shpjeguar domethënien e ajeteve, kontekstin e tyre dhe udhëzimet që ato përmbajnë për jetën e besimtarit.
Dijetarët e Islamit kanë theksuar se mënyra më e saktë për të shpjeguar Kuranin është që ai të komentohet së pari me vetë Kuranin, pastaj me Sunetin e Profetit ﷺ, me fjalët e sahabëve dhe me shpjegimet e dijetarëve të hershëm. Kjo metodë ndihmon që kuptimi i ajeteve të mbetet i lidhur me burimet autentike të Islamit.
Përmes kësaj shkence, muslimani mëson kuptimet dhe urtësitë e Kuranit, në mënyrë që ta zbatojë më mirë udhëzimin e tij në jetën e përditshme.
Leximi i librave të tefsirit dhe i Kuranit është një hap i rëndësishëm për ta ndriçuar zemrën me dijen dhe udhëzimin e Allahut.
Ky libër synon të shpalosë kuptimet e thella të istiadhes dhe
Sures El Fatiha, duke u mbështetur në analizat e dijetarëve të njohur si Shejh Sadi, Imam Ibn Kethiri dhe Imam Ibn Kajimi, etj.
Përmes interpretimit të tyre, lexuesi do të thellojë njohuritë mbi rolin e këtyre ajeteve në ndërtimin e një lidhjeje të fuqishme me Allahun, pastrimin e shpirtit dhe përgatitjen për udhëtimin e tij drejt amshimit.
Lutja është një akt që bashkon zemrën e besimtarit me Krijuesin e tij, dhe Surja El-Fatiha është shembulli më i përsosur i këtij bashkimi.
Ky libër është një udhërrëfyes për të gjithë ata që kërkojnë ta thellojnë lidhjen e tyre me Allahun përmes kuptimit të fjalës së Tij.
Në të, do të gjeni jo vetëm mësime të thella mbi besimin dhe adhurimin, por edhe udhëzime praktike për të përmirësuar jetën tuaj shpirtërore dhe për t’u mbështetur gjithnjë tek Zoti i Gjithëfuqishëm.
Tefsiri i Ibn Kethirit është një nga veprat më të njohura dhe më të besueshme në fushën e komentimit të Kur’anit Famëlartë. Ai është shkruar nga dijetari i madh islam Ibn Kethiri dhe bazohet në shpjegimin e Kur’anit me Kur’an, në hadithet autentike të Profetit ﷺ, si dhe në transmetimet e sahabëve dhe dijetarëve të hershëm.
Ky tefsir dallohet për metodën e tij të saktë, të argumentuar dhe të qartë, duke shmangur interpretimet personale pa bazë dhe duke u mbështetur vetëm në burime të sigurta islame.
Kjo vepër është një shkurtim i këtij tefsiri madhështor të përgatitur nga dijetari i Shamit Muhamed Nesib Er-Rifai.
Në gjuhën shqipe, ai është përkthyer dhe përpunuar nga Uthman Agolli.
Ky tefsir është një nga shpjegimet më të dobishme dhe më të qarta të Kur’anit Famëlartë, i përgatitur nga dijetari i njohur shejh Abdur-Rahman ibn Nasir es-Sa‘di (Allahu e mëshiroftë).
Ai dallohet për thjeshtësinë e gjuhës, qartësinë e shprehjes dhe lehtësinë e kuptimit, duke e bërë Kur’anin të afërt për çdo lexues, qoftë fillestar apo i avancuar në dije.
Një nga veçoritë kryesore të këtij tefsiri është se ai nuk zgjatet me detaje të panevojshme, por fokusohet në nxjerrjen e kuptimeve kryesore dhe dobive praktike nga ajetet. Në të përfshihen mësime të rëndësishme në akide (besim), moral, edukatë dhe dispozita islame, duke lidhur kuptimin e ajeteve me jetën e përditshme të muslimanit.
Po ashtu, tefsiri i Ibn Sa‘dit shmang diskutimet e ndërlikuara gjuhësore dhe debatet e gjata, duke synuar qartësimin e mesazhit të Kur’anit në mënyrën më të thjeshtë dhe më të dobishme.
Për këto arsye, ai konsiderohet një nga tefsirët më të lehtë për t’u lexuar dhe një burim i vlefshëm për këdo që dëshiron të kuptojë Kur’anin dhe të përfitojë prej tij.
Aspekti më i rëndësishëm i mësimit të Kur’anit, përtej leximit të tij, është të kuptuarit saktësisht dhe të nxjerrjes së udhëzimeve për jetën.
Vetëm përmes një kuptimi të saktë dhe një zbatimi të përpiktë të mësimeve të tij, robi mund të gjejë rrugën e drejtë që e çon drejt Zotit të tij.
Megjithatë, Kur’ani nuk mund të shërbejë si udhëzim dhe mëshirë, nëse nuk kuptohet saktësisht, ashtu siç e kuptuan Profeti ﷺ dhe shokët e tij. Ai nuk mund të ketë ndikim në etën e muslimanit, nëse nuk zbatohet në përditshmëri.
Prandaj, çdo musliman ka përdetyrë ta studiojë Kur’anin, të punojë sipas tij dhe të ftojë të tjerët në mirësitë e tij të pashtershme.
Falënderoj Allahun e Madhëruar që më ka mundësuar të merrem me përkthimin dhe studimin e librave të tefsirit të Kur’anit. Kam përfituar shumë nga kjo përvojë, duke kuptuar se dijetarët, që nga kohrat e hershme e deri më sot, i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë tefsirit të Kur’anit.
Në gjuhën shqipe tashmë ekzistojnë shumë punime të vyera mbi kuptimet dhe tefsirin e Kur’anit.
Ky tefsir përmbledh dobi të shumta nga “Tefsiri i Sadit” dhe “Tefsirit i Ibn Kethirit”, të cilat janë botuar më herët, dhe gjithashtu përfshin reflektime, përsiatje dhe sqarime shtesë nga tefsire të tjera klasike e bashkëkohore. Brenda faqeve të tij janë përfshirë edhe analiza gjuhësore, teologjike dhe meditime shpirtërore që, me vullnetin e Allahut, shpresoj të jenë të dobishme për lexuesin e nderuar – si në aspektin e dijes, ashtu edhe në atë të përjetimit dhe reflektimit të brendshëm.
Kjo vepër është një përpjekje e përulur për ta thelluar lidhjen me Librin e Allahut: në kuptim, në mendim dhe në përjetim.
E lus Allahun e Madhëruar ta bëjë këtë përpjekje të bekuar e të dobishme, ta pranojë me mëshirë dhe të na ndihmojë të vazhdojmë me sinqeritet në këtë rrugë të dijes, përkujtimit dhe udhëzimit.
Ky libërth synon të ndihmojë lexuesin të kuptojë thellësinë e këtij paralajmërimi kuranor, të dallojë mes udhëzimit dhe pasioneve, dhe të reflektojë mbi domethënien e leximit të vërtetë të Librit të Allahut.
Në faqet që vijojnë do të gjeni shpjegime tefsiri, reflektime metodologjike dhe udhëzime praktike për të ruajtur qëndrueshmërinë në fe në një kohë presionesh, kompromisesh dhe konfuzioni.
Kjo është një thirrje për çdo besimtar: mos e mat të vërtetën me kënaqësinë e njerëzve, por mat veten me udhëzimin e Allahut. Sepse kush e ndjek Librin ashtu siduhet, është i udhëzuar, ndërsa kush e lë atë për pasionet e njerëzve, ka zgjedhur humbjen e qartë.
Allahu na bëftë prej atyre që e lexojnë Librin e Tij ashtu siç duhet, e ndjekin udhëzimin e Tij pa lëkundje dhe nuk e shesin të vërtetën për kënaqësinë e askujt.
Ky studim synon të identifikojë dhe analizojë sfidat kryesore në mësimdhënien e Kuranit Famëlartë në Shqipëri, duke u fokusuar te përvojat e mësueseve dhe marrëdhënia e tyre me nxënëset. Qëllimi është të evidentojë vështirësitë praktike dhe të ofrojë zgjidhje të zbatueshme për përmirësimin e procesit mësimor.
Studimi është realizuar me metodë përshkruese-analitike, përmes një pyetësori të strukturuar të shpërndarë te 100 mësuese të qendrave të edukimit fetar në Shqipëri.
Rezultatet tregojnë se sfidat kryesore lidhen me mungesën e njohurive të gjuhës arabe, shpërqendrimin nga rrjetet sociale dhe fokusimin në memorizim pa kuptim të thellë të Kuranit.
Ndër zgjidhjet e propozuara përmenden forcimi i mësimit të gjuhës arabe, thellimi në kuptimin e ajeteve, rritja e motivimit shpirtëror, përdorimi i teknologjisë dhe mbështetja e qendrave të mësimdhënies.
Ky libër i Hafidh En-Neueuij (Allahu e mëshiroftë) është një vepër e rëndësishme që trajton etikën dhe sjelljen e duhur të atyre që lexojnë, mësojnë dhe mbajnë Kuranin Famëlartë.
Ai dallohet për thjeshtësinë e gjuhës, qartësinë e shpjegimeve dhe përmbledhjen e dobishme, duke e bërë të lehtë për t’u kuptuar nga çdo lexues. Libri fokusohet në rregullat e leximit të Kuranit, virtytet morale të bartësve të tij dhe marrëdhënien e drejtë mes mësuesit dhe nxënësit.
Gjithashtu, ai përmban udhëzime praktike për recitimin, dëgjimin dhe respektimin e Kuranit, duke ndihmuar në forcimin e lidhjes shpirtërore me Librin e Allahut. Një nga veçoritë e tij është se është i përmbledhur, i lehtë për t’u mësuar dhe i fokusuar në aspektin praktik të jetës së muslimanit.
Për këto arsye, vepra është pranuar gjerësisht dhe ka mbetur një referencë e vlefshme në edukimin e etikës së bartësve të Kuranit.
Pas përmendjes së dobive dhe vlerave të shumta të Kuranit, në këtë punim paraqiten disa çështje të rëndësishme që lidhen me rregullat e fikhut të leximit të Kuranit. Autori ka përmbledhur rreth 170 çështje, duke përmendur shkurtimisht mendimet e dijetarëve dhe argumentet e tyre, me qëllim që leximi dhe përfitimi të jenë më të lehta për lexuesin.
Ky punim synon të shërbejë si përkujtim dhe udhëzim për lexuesit rreth rregullave të leximit dhe respektimit të Kuranit, duke nxitur studimin dhe kërkimin e vazhdueshëm të dijes. Ai është gjithashtu një përmbledhje e shkurtuar e një vepre më të gjerë mbi rregullat që lidhen me mus’hafin dhe leximin e Kuranit.
Autori lutet që kjo vepër të jetë e dobishme për lexuesit dhe të shërbejë si një kontribut në përhapjen e dijes dhe në forcimin e lidhjes me Librin e Allahut.